11 maj 2026

Kush jam unë?

Unë jam Riza Bërbatovci. 
Kam lindur më 4 prill 1975 në fshatin Dobrajë e Madhe (sot Kroibardh), komuna e Lipjanit.
Merrem me enigmatikë që nga shkolla fillore. Përpjekjen e parë për të përpiluar fjalëkryq e kam bërë në moshën 9 ose 10 vjeçare. Fjalëkryqin e parë (katror magjik 5x5) e kam botuar më 1988 si 13-vjeçar në fletushkën "Jehu i dritës" të SHF "Migjeni" të Rufcit të Ri (Lipjan). Fatkeqësisht nuk kam mundur ta gjej një kopje të tij që ta dëshmoj. Fjalëkryqin e parë "zyrtar" e kam botuar në revistën enigmatike "Horizonti" më 1990. Pra, kam përvojë rreth 38 vjeçare në enigmatikë. Kam botuar një numër të madh punimesh enigmatike, rreth 10.000 sosh, në shumë gazeta e revista kosovare enigmatike e joenigmatike si: "Horizonti", "Bujku", "Thes-ari", "Stili", "Fjala jonë", "Koha ditore", "Zëri", “Bota sot”, “Pavarësia”, “Morri”, “Titanic”, “Rreze”, “Ylli”, "Hareja", "Republika" e shumë të tjera. Dominojnë fjalëkryqet (skandinave, klasike dhe llojet e tjera) por edhe enigma të tjera si anagrame, rebuse, tetëkahore, anagramore të numërtuara (plotësore panaagramore), figura të ndryshme magjike etj. Në këtë blog publikoj enigma të reja si zemërz, barazuese dhe lëvizëse.
Kam marrë pjesë në disa takime të enigmatëve. Si 19-vjeçar në vitin 1994 në Gjilan e kam zënë vendin e dytë në disiplinën e përpilimit dhe kam marrë shpërblim special si pjesëmarrësi më i ri në gara (edhe pse dy të tjerë ishin disa muaj më të rinj se unë). Një vit më vonë, më 1995 në garat e mbajtura në Gjakovë, fjalëkryqi im zgjidhet më i miri. Në vitin 1996, në garat e mbajtura në Prishtinë e marr vendin e parë në disiplinën e zgjidhjes së enigmave, kurse në disiplinën e përpilimit dëmtohem rëndë dhe si rezultat nuk kam qenë as ndër 10 më të mirët. Në vitin 2009 mbahet kampionati i Kosovës në zgjidhjen e enigmave ku unë marr pjesë si anëtar i komisionit vlerësues. Janë mbajtur edhe shumë takime të tjera të enigmatëve por nuk kam qenë i informuar dhe askush nuk më ka lajmëruar e as ftuar.
Karakteristikë e fjalëkryqeve të mia është prania e shpeshtë e bardhësisë 6x6 ose më shumë. Rekordi im është bardhësia 8x8. Ka qenë një kohë të gjatë rekord shqiptar deri kur e ka thyer Sadri Husmani me 8x10 edhe pse është për t'u diskutuar besueshmëria e kësaj bardhësie. 
Kam qenë kryeredaktor i revistës "Thes-ari", autor i punimeve të revistave enigmatike "Skandi 112", "Festina" dhe "Ylli". Redaktor i enigmatikës në revistën e ilustruar kulturore e enigmatike "Aurora". I kam përgatitur shtojcat enigmatike në revistat "Fjala jonë", "Kosovarja" dhe "Zëri", pastaj në gazetën e përditshme "Bota sot". 
Jam provuar edhe si teoricien i enigmatikës me një artikull për anagramoren e numërtuar në revistën "Stili".
Kam qenë anëtar i dy shoqatave të enigmatëve. Së pari "Hasan Mustafa" e riemëruar në "Sfinksi" (Prishtinë) dhe pastaj "Ulpiana" (Lipjan) ku edhe kam qenë (ose jam) sekretar.
Në vitin 1997 më është ndarë titulli kandidat mjeshtër i enigmatikës. Sot do të isha kryemjeshër sikur të ndaheshin titujt e tillë edhe sot e kësaj dite. E them këtë për shkak të kualitetit të punimeve të mia dhe përvojës mbi 30-vjeçare (si kusht që ka qenë në atë kohë për të qenë kryemjeshtër).
Në karrierën time të pasur enigmatike kam përdorur shumë pseudonime. Ndoshta jam enigmati shqiptar me më së shumti pseudonime. Pseudonimet e mia janë: Amanti, Arbër Zabit Voci, Armati, Armir Azati, Asprix, Inter Gjana, Liqeni i bardhë, Lumi i bardhë, Marti Azari, Mister Enigma, Pëlqimi, Rabit Brezovica, Ri-Ri-Ri, Rizgabër, Silvani, Sineri, Skenobardi, Skirti, Trim Azaria, Trix A. Mahia, Xahi, Xahi Armati, Xahi4475, Ylli, Zamir Atari, Zotëri V. B. Barica etj. Kam edhe shumë pseudonime të tjera që nuk më kujtohen.
Përveç enigmatikës, jam marrë edhe me krijimtari letrare. I kam botuar disa tregime, poezi dhe humoreska. Kam bërë po ashtu përkthime të humoreskave, barcoletave e psiko-teksteve nga gjuha serbe dhe kroate. Jam autor edhe i dy teksteve të këngëve të Veli Sahitit (Trix). Është dashur të jem edhe autor i teksteve të tri këngëve të Osman Shehut (Fontana) dhe një të Naser Dulës (Rrufeja), por ata nuk kanë publikuar fare këngë të reja.
Gjithashtu jam marrë pak edhe me gazetari, ku i kam botuar disa shkrime dhe intervista në gazetat dhe revistat "Fjala jonë", "Festina", "Zëri" (gazeta e përditshme) dhe "Zëri" (revista). 
Këtë blog e kam hapur në vitin 2006 por nuk kam qenë shumë aktiv, një kohë e kam pasur edhe faqen e internetit interenigma.com (enigma interaktive) të sponsorizuar nga Agim Mehmeti nga Ferizaji. Pra 20 vjet të blogut tim. Mendoj që jam i vetmi bloger i enigmatikës nga Kosova.
Nga viti 2022 kam botuar enigma edhe në gjuhën serbe në blogun TIO (Tupljenje i oštrenje) dhe nga 2024 në gjuhën kroate në blogun DUE (Deseta umjetnost - enigmatika). Po ashtu nga viti 2026 bashkëpunoj edhe me blogun Rebusi. 
I kam botuar edhe disa enigma në kroatisht (një fjalëkryq për të durueshëm dhe 4 zemërza) në revistat "DueT" (2025) dhe "PEN" (2026). Po ashtu në "DueT" edhe një anagram të zgjeruar në gjuhën shqipe.
Biografia ime e planifikuar në librin për enigmatët e ish-Jugosllavisë nga Stjepan Horvati:
Teksti do të përmirësohet dhe do të ketë shtesa para se të botohet (ndër të tjera, nuk i kam rreth 15.000 punime por rreth 10.000 siç e ceka më lart).