03 korrik 2026

Veli Sahiti dhe unë


Në këtë blog të enigmatikës e kam edhe etiketën "Jashtë enigmatikës" ku shkruaj për tema që s'kanë të bëjnë me enigmatikën. Unë nuk jam marrë vetëm me zgjidhjen dhe përpilimin e enigmave.
Në këtë artikull dua të shkruaj pak për idolin tim nga muzika, Veli Sahiti, që më shumë është i njohur me emrin e grupit të tij të dikurshëm Trix.
Unë jam adhurues i tij që nga viti 1990 kur e kam dëgjuar për herë të parë albumin "Krushqit e pajtimit". Jam dashuruar menjëherë me këngën e tij "Dashuria në qershor" e jo me këngën e tij të famshme (për shumëkënd i vetmi hit i tij) "Zeshkania ime". Nga ajo kohë e deri më sot (me disa ndërprerje të arsyeshme) e kam përcjellë tërë veprimtarinë e tij, e kam blerë gati çdo album, kasetë e CD dhe i kam mësuar përmendësh më shumë se gjysmën e këngëve të tij. Jam munduar ta mësoj çdo këngë por fatkeqësisht në shumë raste nuk e kuptoj çka thotë. Pas albumit të trembëdhjetë (2002) mua më bie pak interesimi për muzikën dhe jam përqendruar në aktivitete të tjera, me angazhime të shumta në enigmatikë dhe argëtim përmes internetit. Mirëpo më vonë kur Veli Sahiti ka vazhduar të nxjerrë albume të reja vërej se muzika e tij ka pësuar ndryshime, këngët e tij kanë më shumë folklor. Mirëpo pastaj, në vitin 2006 ose 2007 e nxjerr albumin e tij më të mirë (sipas meje), të 16-tin me radhë të titulluar "Imazhi yt". E konsideroj si albumin më të mirë për katër arsye. 
1. Të gjitha këngët janë argëtuese (pop ose rok),
2. Të gjitha këngët kanë tematikë dashurie,
3. Nuk ka asnjë melodi instrumentale dhe
4. Shumica e këngëve janë të bukura që të mos them të gjitha.
Në albumet e mëparshme ka pasur të meta, ose ndonjë këngë popullore ose ndonjë patriotike ose ndonjë melodi instrumentale. Të theksoj se nuk jam kundër muzikës sonë popullore por nuk më pëlqen kur e praktikon këtë muzikë një roker si Veli Sahiti. Nuk jam absolutisht kundër këngëve patriotike por për ato këngë i kemi Shkurte Fejzën, Ilir Shaqirin e shumë të tjerë. Çka i duhet një këngë popullore dhe patriotike një rokeri si Veli Sahiti? Po të ishin patriotike me rok-muzikë atëherë ndryshe do të ishte. Gjithashtu më pëlqejnë meloditë instrumentale mirëpo megjithatë nuk i kam preferuar në albume të Veliut sepse vetëm i kanë zënë vend një kënge. Më mirë ka qenë të kompononte një këngë shpejt e shpejt çfarëdo vetëm të jetë argëtuese, ne vend të melodisë instrumentale. Nuk jam ndonjë dashamir i flakët i këngëve të dashurisë, por është një fakt që këngët e Veliut me tematikë të tillë gjithmonë e kanë muzikën dhe aranzhmanin shumë më të mirë se këngët e tematikave të tjera.
Veli Sahiti në intervista deklaron që i ka 20 albume. Unë i kam 19 prej tyre. Nuk e di as nuk e kam të qartë se kur ka dalë në shitje ai album që më mungon. Nuk i kam të gjitha si kaseta e CD, disa prej tyre i kam vetëm me format mp3 në kompjuter. Është e mundshme që albumin special kushtuar Nënës Tereze nga viti 1998 e numëron si album të rregullt. Me siguri jam gabim. Në internet nuk ka informata për atë album. Në disa vende përmenden titujt e të 19 albumeve që unë i kam por ai i 20-ti askund nuk shihet, si thuhet e ka lëshuar toka.
Unë ia kam shkruar dy tekste të këngëve. Ato janë "I strukur në shtrojerë" nga albumi "Vallëzimi i yjeve" (2001) dhe "Do t'më gëzosh" nga albumi "Moj e mira te pojata" (2002).
Dita kur Veliu më ka treguar se dy tekste të mia do të bëhen këngë ka qenë ndër ditët më të lumtura të jetës sime. Si sot e mbaj mend kur e kam thirrur në telefon nga posta gjatë vitit 2000 (atëherë nuk kisha telefon mobil) dhe më tregoi se ka lajme të mira për mua. Në telefon më pat thënë që albumi i ardhshëm do t'i përmbajë 16 këngë dhe dy prej tyre janë me tekste të mia. Megjithatë nuk ka vepruar ashtu, këngët i ka ndarë në dy albume dhe dy tekstet e mia ishin në secilin prej tyre. E mbaj mend sesi në telefon e këndoi live një pjesë të këngës "I strukur në shtrojerë". Isha aq i emocionuar.
Por, natyrisht se para se të bëhem autor i këngëve të tij, së pari është dashur të njoftohem live me të. E kjo ka ndodhur gjatë dimrit të vitit 1997. Mëkat që nuk e mbaj mend datën e saktë historike kur jam njoftuar me idolin tim. Kjo dëshmon që po të isha i martuar nuk e kisha mbajtur mend as takimin e parë me shoqen e jetës e as datën e martesës. :)
Unë kam punuar në revistën "Fjala jonë" ku kam qenë autor i enigmatikës, korrektor dhe një kohë edhe lektor e herë pas here edhe gazetar e autor i disa skicave, tregimeve dhe poezive. Kështu në cilësinë e gazetarit u njoftova me Veli Sahitin edhe pse paraprakisht ia kam bërë me dije që jam adhurues i tij. Intervista që e kemi bërë me kolegen Fatmire Baca, ka rrjedhur për bukuri dhe gjatë bisedës i kam mësuar edhe disa gjëra që nuk i kam ditur për idolin tim, për shembull që kënga e tij "Zana" është përpunim i një kënge turke dhe që ka qenë fitues i një festivali në nivel të Jugosllavisë gjatë vitit 1985 në Doboj. Aty ka fituar me këngën "Hijet e dashurisë". Kolegia ime gazetare Fatmire Baca e dinte përmendësh versionin turk të këngës "Zana". Kurrë s'e kam kuptuar pse shqiptarët e pëlqejnë aq shumë muzikën turke?! Por kjo është tjetër temë.
Tash dua ta bëj një pyetje. Cila është kënga "Hijet e dashurisë", kënga fituese e atij festivali? Kjo këngë gjendet në albumin e katërt ("Toka ime") dhe fillon me këto vargje:
E di se të kam humbur
Atë natë kur u largove
Pa m'treguar ku do të shkosh
Pa m'treguar kur do të kthehesh
Kështu unë prej vitit 1997 e deri para disa viteve kam menduar që kjo ka qenë kënga fituese. Se ashtu më ka thënë Veliu në intervistën në fjalë. Mirëpo Veli Sahiti në një emision televiziv të udhëhequr nga Visar Peja, e këndon këngën fituese nga festivali në fjalë. Por ajo këngë nuk ka qenë "Hijet e dashurisë" nga albumi i katërt "Toka ime". Në atë emision Veliu e këndon këngën "Buzët e tua" nga albumi i pestë "Vallja e rinisë". Kjo më ka hutuar. Çka ndodhi? Si ka mundësi? A thua Veliut iu kanë ngatërruar këngët? Duhet theksuar se te kënga "Hijet e dashurisë" në album nuk përmendet askund togfjalëshi nga titulli mirëpo në këngën "Buzët e tua" përmenden fjalët e titullit në refren. Për më tepër këtë këngë e ka përpunuar dhe e ka të publikuar në kanalin e tij zyrtar në YouTube. Po supozoj që kjo këngë gjendet pikërisht në albumin që nuk e kam unë. Madje edhe e përpunuar e ka titullin "Buzët e tua". E pse atëherë e prezentoi si këngën me të cilën ka fituar në festivalin e Dobojit?! Nëse pyetem unë kënga origjinale "Hijet e dashurisë" është shumë më e mirë se "Buzët e tua". Kjo e fundit ka aranzhman fenomenal por nuk ma merr mendja që e ka pasur atë aranzhman në vitin 1985.
Veli Sahiti e ka publikuar një libër monografik. Para se ta botonte atë libër më ka thirrur në telefon. E vetmja herë që më ka thirrur në telefon. Më kërkoi që t'ia dërgoj intervistat të cilat i kam bërë me të dhe disa punime enigmatike kushtuar atij. U gëzova shumë dhe shpejt e shpejt i kam gjetur të gjitha intervistat që i kam bërë me të dhe po ashtu shumë punime enigmatike që ia kam kushtuar atij. Fatkeqësisht Veliu nuk u lajmërua më dhe e publikoi librin pa intervistat dhe enigmat e mia. Kam qenë shumë i zhgënjyer. Shumë më mirë ka qenë të mos më kishte thirrur.
Edhe pse jam edhe bashkëëpunëtor i tij si autor i teksteve të dy këngëve dhe shumë shumë herë e kam prezentuar dhe e kam tepruar në enigmat e mia. Mirëpo nuk po them që duhet të ma dijë për nder se as që ka kërkuar gjë prej meje, se as që më ka njohur. Unë e kam bërë se kam qenë dhe jam adhurues. Gjithsesi e them me keqardhje se ai libër që nuk e kam parë kurrë është më i varfër pa intervistat dhe enigmat e mia. Veli Sahiti në Facebook publikonte fotografi se si ua dhuronte librin shumë personave. Për mua nuk u kujtua fare. Jo adhuruesin se të tillë ka plot, por bashkëpunëtorin e tij, autorin e teksteve të dy këngëve. Jam shumë i dëshpëruar me idolin tim.
Por kjo s'do të thotë që nuk e dëgjoj më. Tash i kam kaluar të 50-tat dhe muzika në këtë moshë nuk është aq e ëmbël si në rini. Megjithatë herë pas here i dëgjoj këngët e tij me shumë ëndje si adoleshent sidomos kur e ngas biçikletën e dhomës. Dikur i dëgjoja të gjitha këngët e tij, sot jo. Sot nuk i dëgjoj më këngët e tij patriotike, vetëm ndonjë të veçantë si "Baladë për mikun", nuk i dëgjoj as këngët popullore. 
Por nuk është vetëm çështja e librit që më ka zhgënjyer tek idoli im. Veli Sahiti pa pikë nevoje vazhdon të këndojë këngë popullore, nga të cilat nuk fiton asgjë. Muzika popullore burimore shqiptare nuk e ka atë popullaritet si dikur. Sot në trend është muzika popullore e bazuar në folklorin turk dhe rom e ashtuquajtur tallava. Veliu nëse dëshron më shumë popullaritet do të duhej të këndojë tallava e jo popullore. Natyrisht nuk do t'i dëgjoja këngët e tij tallava si ato popullore shqiptare. Përveç kësaj Veliu e zvetënon mega-hitin e tij "Zeshkania ime" duke e përpunuar me një reper. Dhe jo vetëm kaq. Ka vazhduar të bashkëpunojë me reperë të tjerë. Gjithsesi, nuk është i vetmi. Kam përshtypjen që çdo këngëtar serioz ka përzier me reperë. Vetëm "Elita 5" jo. Prandaj ata janë mohikanët e fundit që i qëndrojnë besnikë muzikës së pastër rok apo pop e nuk e ngatërrojnë me rep që as nuk është muzikë. Nuk është ky vetëm mendim i imi. Në këtë pikë "Elitën 5" e adhuroj më shumë.
Po ashtu, jam shumë i zhgënjyer me kanalin e tij zyrtar në YouTube ku ka gabime të shumta. Ka gabime drejtshkrimore. Mungojnë shkronjat shqipe Ë dhe Ç në tituj. Shumë tituj të këngëve nuk u përgjigjen videove. Shumë këngëve u janë ndërruar titujt që i kanë pasur nëpër kaseta e CD. Rasti më drastik është kënga "Më beso se të kam dashur" që sot njihet me titullin "Pa lamtumirë". Një gabim tjetër trashanik është se këngën e tij të parë (apo të grupit "Trix") "Për ty" e ka emëruar gabimisht "Për ty Nora". Është interesant që kënga "Për ty Nora" me të vërtetë ekziston por ajo nuk është kënga e parë e Trix-it por është këngë e vitit 2001 nga albumi "Vallëzimi i yjeve". Ajo këngë nuk gjendet në YouTube, sikurse asnjë këngë e albumit në fjalë, pra as teksti im "I strukur në shtrojerë". As kënga tjetër që e kam shkruar unë "Do t'më gëzosh" nuk gjendet në kanalin zyrtar të Veliut në YouTube por është e publikuar nga dikush tjetër si incizim nga një video-kasetë e Vitit të Ri 2002 ku e ka kënduar Veliu këtë këngë.
Edhe një gjë nuk e kam kuptuar, pse Veliu ka kaq pak hite? Nga prezentimet e tij televizive kuptoj se pjesa më e madhe e hiteve të tij gjenden në albumin e parë "Krushqit e pajtimit". Kjo ma kujton se si moti dikur disa persona më kanë thënë që Trix-i vetëm kasetën e parë e ka të mirë kurse të tjerat nuk janë interesante. Natyrisht nuk jam pajtuar me këto fjalë sepse unë i pëlqeja në mënyrë të barabartë të gjitha albumet e tij, mirëpo sot po dalin të vërteta. Unë do t'i përmend këngët për të cilat çuditem si nuk janë bërë hite, ose janë bërë por shpejt kanë "skaduar" si: "E di se ti më deshte", "Ylli i amshuar", "Buzë liqenit", "Si të them", "I lumtur isha me ty", "Unë të dashuroj", "Balada X", "Mos ma the zemrën", "Shëro plagët e zemrës ferizajase", "Për ty Nora", "Mos ma kujto ndarjen ti", "Dhemb edhe kjo zemër", "Ndoshta jeta na bashkon", "E pamëshirë ishe ti", "Buza jote e kuqe", "Ilaçi i plagës" etj. etj.
Gjatë vitit të kaluar Veli Sahiti festoi 50-vjetorin e veprimtarisë së tij me një mbrëmje gala të mbajtur në Ferizaj. Fatkeqësisht nuk pata mundësi që të marr pjesë. Aty janë interpretuar 14 këngë të tij nga këngëtarë të ndryshëm. Disa interpretime nuk më kanë pëlqyer edhe aq. Zgjedhja e këngëve ka qenë mjaft e qëlluar. Vërejtja ime e vetme është se si u zgjodh kënga "Fati im" para shumë e shumë këngëve shumë më të bukura që i përmenda në listën e mësipërme. Ajo që më ra në sy mua po ashtu është se tekstet e këngëve po thuaja asnjë nuk kanë qenë plotësisht si i ka kënduar Veli Sahiti nëpër albume. Ka pasur ndryshime të dukshme. Nuk e kam të qartë pse është kështu dhe mendoj se është gabim. Unë ose e kam mësuar me përpikëri tekstin e një kënge ose hiç. Këtu unë e bëj një pyetje pak humoristike. A është e domosdoshme njohja e tekstit të një kenge ashtu si është origjinali apo lejohet ndonjë modifikim në pjesët ku nuk e merr vesh këngëtarin? Në këtë mënyrë unë mund të gënjej që i di gati krejt këngët e Veli Sahitit, sepse një numër të madh të tyre nuk kam mundur t'i mësoj për një fjalë apo fjali a varg.
Një gjë unë nuk duhet ta harroj. Muzika argëtuese është në krizë jo vetëm në Kosovë por kudo në botë, sidomos pas popullarizimit të çuditshëm të muzikës rep, e në Kosovë edhe i muzikës tallava që edhe është i kuptueshëm duke e ditur se sa të prapambetur jemi si popull sa i përket kulturës muzikore. Për këtë arsye shumë këngëtarë e grupe të mira të muzikës zbavitëse, pop apo rok, e kanë lënë këtë lloj muzike dhe kanë kaluar në zhanre më të popullarizuara, ose i kanë rralluar këngët ose e kanë lënë krejt muzikën. Kurse Veli Sahiti e ka përballuar këtë krizë dhe ka vazhduar të këndojë me zell, ka bërë kompromise me rep e me muzikë popullore (!) por nuk e ka ndalur muzikën dhe ka vazhduar të nxjerrë këngë të bukura. Për shembull, ndër këngët e fundit të tij është "Takimi", një kryevepër e tij. Nuk e di sa ka gjetur popullaritet. Nëse bazohemi në numrin e shikimeve në YouTube, rreth 26.000, nuk është aq keq por edhe mirë jo. Një këngë e tillë është dashur të ketë miliona shikime e dëgjime. Por e kuptuam pse është kështu.
Tash do ta komentoj çdo album të Veli Sahitit. Të 19-tit. Pakkush e di që ansambli "Trix" nuk e ka asnjë album, ose ndoshta më mirë të themi, vetëm albumi i parë është i grupit, të gjitha albumet në vijim janë solo-albume të Veli Sahitit. Këngëtari e ka përdorur emrin e grupit pas emrit të tij sikur të ishte nofkë e tij apo emër artistik a diçka e ngjashme. Mendoj që këtë e ka bërë sepse albumet do të shiteshin më shumë kur njerëzit do të shihnin emrin "Trix" që do t'ua kujtonte këngët e vjetra të grupit. Gjithsesi, unë nuk kam problem me këtë. Desha të theksoj se unë Veli Sahitin e adhuroj nga viti 1990 ose 1991. Pra unë jam adhurues i solistit e jo i grupit. Grupin nuk e kam dëgjuar kur këngët tyre dëgjoheshin në Radio Prishtinë sepse kam qenë në shkollën fillore dhe atëherë kam qenë i zënë me mësime dhe me muzikë për fëmijë. :)
1. KRUSHQIT E PAJTIMIT - albumi i parë dhe i vetmi i grupit "Trix". Ky album në njëfarë forme është përmbledhje e këngëve më të mira të grupit që nga formimi më 1974 deri më 1989 kur ka dalë në shitje kaseta. Nuk është rastësi që pjesa më e madhe e hiteve gjenden në këtë album. Prandaj, s'kam çka shtoj, vërtet këngët janë shumë të bukura. Vetëm më habit fakti se pse kënga "Ylli i shpirtit tim" nuk është sot hit si këngë e tjera. Mua më pëlqen shumë. 
2. BUKË, KRIPË E ZEMËR - albumi i dytë, apo i pari solo-album i Veliut. Edhe këtu gjenden disa hite të Radio Prishtinës por edhe disa këngë të reja. Në këtë album do të veçoja këngët "E di se ti më deshte", "Ylli i amshuar" dhe "Qaj për ty". Këngët e tjera janë solide. Nuk më pëlqen aranzhamni i këngës "U largove në pranverë". Ka mundur të jetë shumë më i mirë. 
3. VALA E RE - prej këtu Veli Sahiti sjell risi që nuk i ngjajnë shumë grupit të famshëm. Edhe në këtë album i kemi hitet e mëhershme si "Sokolesha" dhe "Ti je lot në syrin tim". Mua më pëlqejnë shumë edhe këngët "Shiu i marrë" dhe "Eja" (të cilën e ka shkruar poetesha e madhe Adelina Mamaqi). Në këtë album kemi një këngë të pazakonshme, parodia e vetme e Veli Sahitit "Babi (s') e di". Këngët e tjera nuk janë të këqija. Nga këtu fillon me melodi instrumentale, për të cilat e potencova më herët që kanë qenë të tepërta në çdo album.
4. TOKA IME - album ku gjenden këngët e grupit "Hijet e dashurisë" dhe "Rrezet e vetmisë". Mua më pëlqen shumë edhe kënga "Buzë liqenit". Të mos harroj, hiti i këtij albumi është natyrisht "Zana". Edhe këngët e tjera janë të mira.
5. VALLJA E RINISË - albumi që i ka tri këngë të mrekullueshme "Princesha e dashurisë", "Buzët tua" dhe "Ç'më vjedh syri yt". Edhe kënga "Loti në sy" është solide. Pjesa tjetër e albumit përbërëhet nga këngë popullore të përpunuara, një këngë artistike dhe instrumentali. Pra 4 këngë të bukura dhe 4 melodi të tepërta.
6. PA TITULL - albumi i gjashtë i Veli Sahitit s'ka titull. Në intervista ai ia mvesh titullin "Si të them" por ky titull nuk figuron askund (vetëm titulli i këngës). E kam pyetur për këtë dhe Veliu pat thënë që e ka planifikuar titullin "Si të them" por kur e kanë përgatitur teknikisht mbështjellësin e kasetës, e kanë harruar titullin. Ky është albumi më i gjallë apo më ritmik i Sahitit. Këtu i kemi së paku 5 këngë të bukura siç janë "Si të them", "I lumtur isha me ty (këngë e grupit), "Fytyra jote hënë", "Unë të dashuroj" dhe "Lules". Këngët e mbetura janë solide. Vetëm instrumentali e prish pak albumin edhe pse edhe melodia instrumentale ka qenë mjaft e mirë. Prapë e kisha preferuar një këngë çfarëdo argëtuese në vend të saj. Një prej albumeve me të mira.
7. ÇOHU MORE REXHO - album interesant, aranzhmane të pazakonshme krahasuar me albumet e mëhershme. Asnjë hit nuk e ka lënë por mua më kanë pëlqyer këngët "Pak pa ikur vera", "Kujtimi për ty" dhe "Ne të dy". Kënga "Lutje për mërgimtarin" (aranzhman i tmerrshëm) dhe instrumentali janë të tepërta në këtë album. Këngët e tjera janë solide.
8. FATI NUK ËSHTË ILUZION - për albumin e shtatë kam lexuar që ka qenë i pasuksesshëm dhe andaj Veliu është ngutur që ta nxjerrë të tetin, pas diku 8-9 muajve. Ky album është kontradiktë e të shtatit, këtu kemi aranzhmane karakteristike të grupit "Trix" dhe hiq instrumentalin çdo këngë ka qenë më e mirë se tjetra. Gjithsesi do të veçoja këngët "Ku je tash", "Kohë e shkurtër e nusërisë" dhe "Më e mira". Por, siç ka ndodhur në shumë albume, asnjë hit nuk ka mbetur nga ky album.
9. BALADA X - këtu i kemi 3 këngë shumë të bukura ("Të kërkoj", "Balada X" dhe "Për ty Neta"). Këngët "Loti i argjendtë" dhe "Shko moj shko" janë të mira, pjesa tjetër është e tepërt. Një këngë i kushtohet humanistes më të madhe botërore Nënës Tereze, por këngën po e quaj të tepërt sepse Veliu e ka edhe një album special për Nënën Tereze, ku gjendet e njëjta këngë.
10. KURORA DIGJET NË ZJARR - album i cili ka dalë në shitje ne fund të vitit 1998, unë e kam blerë më 31 dhjetor. Njëfarë dhurate për Vitin e Ri 1999. Pra album që ka dalë gjatë luftës në Kosovë dhe përmban 4 këngë aktuale për luftën në Kosovë dhe 4 këngë dashurie. Çdo këngë është e mirë por dallohen "Mos ma the zemrën", "Më dashuro", dhe "Baladë për mikun".
11. LAMTUMIRË, GJENERATË - albumi i parë pas lufte. 3 super këngë, "U tretën ëndrrat", "Shëro plagët e zemrës ferizajase" dhe "Mos më thuaj". Edhe këngët "Emrin tënd e mban vegimi", "Ti vlen për mua" dhe "Do të jem me ty" janë të bukura. Dy këngët e mbetura ishin vetëm që albumi të mos jetë perfekt.
12. VALLËZIMI I YJEVE - album i veçantë për mua. Këtu për herë të parë e promovoj tekstin e një kënge. Përveç kësaj albumi është thuajse perfekt. Çdo këngë është e bukur. Por do të veçoja këngët "Për ty Nora", "Më beso se të kam dashur" dhe "Udhëtimi". Nuk jam dashamir i këngëve të përpunuara por përpunimi i këngës "Dibranes" të grupit "Enigma" ishte i qëlluar, ashtu sikur më herët "U tretën ëndrrat" e Hilmi Obërtincës.
13 - MOJ E MIRA TE POJATA - albumi nr. 13 që paralajmëron rënien e Veli Sahitit. Ky album i ka 3 këngë të bukura, "Mos ma kujto ndarjen ti", "Simpatia" dhe "Do t'më gëzosh" (teksti im i dytë). Edhe "Flake brengën" është këngë e mirë. Të tjerat janë të tepërta.
14. ILUZION - album i pazakonshëm i Veli Sahitit ku ka shumë foklor. Për mua ky album i ka vetëm dy këngë për t'u dëgjuar. Ato janë "Bukuroshe nga Kosova" dhe "Fustani yt i ri". Këngët e tjera janë popullore, një përpunim i paqëlluar dhe një këngë argëtuese me aranzhman që më duket s'ka dalë mirë teknikisht.
15. ENGJULLI IM - albumi më vëllimor i Veli Sahitit me dhjetë këngë. Albumet e mëhereshme shumica i kanë pasur nga 7 këngë dhe një instrumental. Albumi i 15-të i ka së paku katër 4 të bukura: "Dhemb edhe kjo zemër", "Këngët m'i merr malli", "Engjulli im" dhe "Kënga e fundit për ty". 3 këngë të tjera janë solide kurse 3 të fundit janë të tepërta (këngë popullore).
16. IMAZHI YT - albumi më i mirë i Veli Sahitit. Edhe pse nuk e ka lënë asnjë hit, për mua gati çdo këngë është më e mirë se tjetra. Që albumi të mos jetë perfekt është kujdesur Antigona Sejdiu që e këndon në duet me Veli Sahitin këngën eponimike "Imazhi yt". Veliu shumë më mirë këndon vetëm sesa në duete. Edhe ashtu nuk ka shumë duete. Fatmirësisht.
17 - EPOPEJA E JEZERCIT - albumi i vetëm i Veliut që s'më pëlqen. Album me këngë popullore patriotike. Shumica e këngëve janë të mëhershme por i kemi dy premiera. Gjithsesi më pëlqen kënga eponimike e albumit të katërt "Toka ime". Mendoj që ky album nuk mund të jetë album i rregullt por album special duke qenë se i ka vetëm dy premiera. Kështu e konsideroj që Veliu e ka një album më pak. 
18 - RINISË - një album i ngjashëm si i 14-ti, shumë folklor por megjithatë me dy këngë të mrekullueshme: "E pamëshirë ishe ti" dhe "Pa ty" dhe dy këngë solide "Jam kthyer përsëri" dhe "Shëtitje në Ulpianë".
19 - 40 VJET - album fantastik ku secila këngë është më e bukur se tjetra. Si duket Veliu e ka planifikuar që të jetë i fundit dhe që ta përfundojë storien e albumeve me stil. 
Siç thashë më herët Veliu deklaron që i ka 20 albume, pra një album nuk e kam por po e marr me mend përmbajtjen e tij, bazuar në videot në YouTube. Bash jam kureshtar nëse ka informata për këtë album në librin monografik të Veli Sahitit. 
Pas 20 albumeve Veliu ka nxjerrë edhe shumë këngë të tjera si video-klipe që mendoj se mund të përmblidhen në të paktën edhe 2 albume të tjera. Këngët popullore dhe sidomos ato të kombinuara me rep nuk më interesojnë por këngët argëtuese, zhanri me të cilin më ka bërë për vete, i dëgjoj me ëndje, disa më shumë, disa më pak. Nga to do t'i veçoja këngët "Ilaçi i plagës", "Takimi" dhe "Në ëndrrat e mia". Nëse i shtojmë edhe këngët që janë publikuar në Radio Prishtinë e nuk gjenden në asnjë album, lirisht mund të bëhen 23 albume të Veli Sahitit.
Për fund do t'i them disa kuriozitete për Veli Sahitin. 
Ai i ka 3 çifte këngësh me titull të njëjtë. Pra këngë të ndryshme me tituj të njëjtë. Nuk janë përpunime. Ato janë "Eja" nga albumi i tretë dhe "Eja" nga albumi i 15-të, "Shko moj shko" nga albumi i nëntë dhe "Shko moj shko" nga albumi i 15-të, "Simpatia" nga albumi i 13-të dhe "Simpatia" në YouTube. Ndoshta nuk mund ta marrim parasysh këngën që gjendet në YouTube sepse ka gjasa që titullin e ka gabim ashtu si e kanë shumë këngë të tjera në kanalin zyrtar të Veliut në YouTube. Gjithsesi, nuk e di a ka ndonjë këngëtar tjetër që i ka dy apo tri këngë të ndryshme me titull të njëjtë?! Unë mendoj që çdo këngë duhet ta ketë titullin unik. Por ndoshta jam gabim.
Një këngë e Veliut i ka së paku katër tituj. Titulli i parë "Kalorësit e diellit". Kjo këngë ka qenë e planifikuar në albumin e katërt por për një arsye që nuk e di unë nuk është publikuar dhe është zëvendësuar me melodinë instrumentale "Vallëzimi i yjeve". Në albumin e gjashtë e mban titullin "Unë të dashuroj" por prapë nuk publikohet dhe në vend të saj publikohet një këngë tjetër e cila nuk e ka askund në tekst fjalinë "unë të dashuroj". Këtë këngë e ka përpunuar për bukuri djali i tij Thesar Sahiti. Në nje fletore me tekste të këngëve që ma ka dhënë Veli Sahiti kjo këngë mban titullin "Te shelgu". Fjalia "te shelgu" përmendet në fillim të pjesës së dytë të këngës. Më në fund, në albumin e shtatë kënga publikohet por tash me titullin "Ne të dy" në kasetë dhe "Oj njomëza ime" në CD. Në këtë këngë përmenden edhe "kalorësit e diellit" edhe "unë të dashuroj" edhe "oj njomëza ime". "Ne të dy" nuk përmendet dhe ka mundësi që as ky s'është titulli i saj. 
Në albumin e tetë ka qenë e planifikuar kënga "E humba edhe një shpresë" e cila, prapë për një arsye që nuk e di, është zëvendësuar me një melodi instrumentale që i përgjigjet këngës "Pa ty dita më është vit". Një vit më vonë këngëtarja Didi (Naxhije Fejza) e publikon këngën "A të kujtohet" me tekst dhe muzikë të Veli Sahitit. Në këtë këngë përmendet fjalia "e humba edhe një shpresë". Edhe pse Didi e këndon bukur dhe kënga është e mrekullueshme, mendoj që është mëkat që nuk e këndon Veli Sahiti. Duke qenë se kjo këngë është harruar, mendoj se Veliu mund ta këndojë prapë vetë në ndonjë video-klip të ri.
Kënga "E pamëshirë ishe ti" nga albumi i parafundit e ka një gabim trashanik që ia ka ngatërruar në tërësi kuptimin këngës. Në vend të fjalës "zemërthyese" Veliu thotë "zemërthyer". Lëshime të tilla mund të gjesh te shumë këngëtarë. 
Kënga "Për ty biondinë" nga albumi i fundit nuk e ka kështu titullin në video-klip por e ka "Biondina ime", pra opozita e këngës "Zeshkania ime". Nuk e kam të qartë pse e njëjta këngë i ka dy tituj të ndryshëm?! Unë e di që në internet dashamirët nga mosdija shumë këngëve ua ndërrojnë titujt por këtu po flas për tituj zyrtarë të vendosur nga Veli Sahiti.
Veli Sahiti në koncertet e tij këndon shumë këngë që nuk janë të tijat. Vetë i ka rreth 170-180 këngë dhe shumë prej tyre janë shumë të bukura, por nuk i këndon por zgjedh këngë të të tjerëve. Unë kam parë koncerte të këngëtarëve të tjerë. Nuk e kam vërejtur që i këndojnë këngët e kolegëve. Me siguri edhe të tjerët e bëjnë këtë gjë por pse duhet ta bëjë Veliu kur ky ka një numër shumë të madh të këngëve të veta?! Në një mbrëmje në Vushtrri më 2010 në një lokal Veliu ka kënduar më shumë këngë të të tjerëve, madje edhe këngë popullore, sesa këngë të vetat. 

Nuk ka komente: