30 qershor 2026
Fjalëkryq plotësor
Srčece brez ostanka
Rrokjesor magjik 4x4
29 qershor 2026
Rrokjesor magjik 4x4
Zemërz e zgjeruar 4x4
28 qershor 2026
Zemërz pa mbetje 4x3
Unë si gazetar
Para se të punësohem si autor i enigmatikës në gazetën e përditshme "Zëri", disa muaj kam qenë korrespondent i Lipjanit në gazetën e përditshme jetëshkurtër "Dardania Press".
27 qershor 2026
Bosht
26 qershor 2026
Enigmatika në Kosovë dhe unë
Dua ta shfrytëzoj rastin, pasi që e kam blogun tim, t'i shkruaj disa fjalë për enigmatikën në Kosovë.
Nuk dua të hyj në historikun e enigmatikës, kanë folur të tjerët, janë shkruar artikuj në gazeta, revista e në libra. Unë dua të ndalem vetëm në enigmatikën që zhvillohet sot.
Një kohë të gjatë kam menduar që enigmatika në Kosovë ka vdekur me mbylljen e të gjitha gazetave të përditshme në Kosovë. Disa revista jashtëzakonisht të dobëta enigmatike që ishin në shitje nuk i numëroja si enigmatikë të gjallë.
Mirëpo, vitin e kaluar, rastësisht e pashë një grup të enigmatëve shqiptarë në Facebook, ku ishin të publikuara disa punime qesharake enigmatike. Më vonë e pashë që një enigmat i njohur e kishte faqen e tij të bazuar në revistën e parë enigmatike "Horizonti", që një kohë të gjatë ka qenë revista e vetme e këtij lloji në Kosovë.
Ajo që më ra në sy menjëherë ishte se kolegu në fjalë publikonte figura enorme magjike të papara ndonjëherë në revistat tona. Por shpejt erdha në vete kur e pashë përmbajtjen e tyre. Mandej një enigmat tjetër, emrin e të cilit e dëgjova për herë të parë në Facebook, i kishte publikuar disa fjalëkryqe interesante me bardhësi enorme 10x8 dhe 6x12. E para gjë që më shkoi mendja ishte se ai i ka parë punimet e mia në blogun TIO dhe as nuk ma ka thënë një fjalë të mirë në blog, por i ka përvjelur mëngët dhe i ka hyrë punës për të thyer rekordin tim personal dhe të enigmatikës shqiptare, fjalëkryqi skandinav me bardhësi 8x8. Natyrisht, bardhësia e tij ishte në stilin e figurave magjike të kolegut që e përmenda më herët, ku kishte shumë nocione të diskutueshme të marra kudo nëpër internet. Do të ishte absolutisht diçka e bukur sikur dikush të thyente rekordin tim, por ashtu si e ka bërë kolegu në fjalë, pa arrogancë e them në mënyrën më të butë, që është e diskutueshme. Jam i bindur që dy enigmatët më të mirë shqiptarë Xhevat Ruhani dhe Gëzim Gjini nëse i shohin ato punime do të qeshnin deri në lot.
Gjithsesi, në ndërkohë marr vesh se janë mbajtur takime të enigmatëve dhe askush nuk më ka informuar as që më kanë ftuar. Edhe po të më ftonin nuk e di a kisha pasur mundësi të marr pjesë, por e para do të duhej të ishte ftesa. E kam thënë që nuk marr pjesë më në gara të enigmatëve sepse kam përvojë shumë të keqe, ka pasur padrejtësi ndaj meje në takimet e mbajtura në Gjakovë (jo vetëm ndaj meje) dhe sidomos në Prishtinë ku më kanë dëmtuar shumë rëndë në disiplinën e përpilimit. E për ironi kam qenë fitues i garës së zgjidhjes së enigmave.
Duhet theksuar se unë kam respekt për kolegun dhe botuesin e "Horizontit" sepse ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin dhe përhapjen e enigmatikës, duke formuar shoqatën e parë të enigmatëve ("Ndre Mjeda"), duke organizuar dy herë gara të enigmatëve, të vetmet ku unë nuk jam dëmtuar, duke formuar Federatën e Enigmatëve të Kosovës dhe duke marrë pjesë në gara ndërkombëtare të enigmatikës etj. etj. Por në përpilim të enigmave nuk jam shumë i impresionuar me punën e tij.
Tash së fundi e ka botuar një libër monografik për SHE "Ndre Mjeda" dhe për "Horizontin". Nuk e kam parë librin dhe me siguri autori do ta shpërndajë gratis por, siç pritet, nuk do të kujtohet për mua. Pyes veten a përmendet emri im në atë libër, madje ndoshta kisha vënë bast që nuk figuroj fare si emër. Por nuk jam bastexhi. Jo për arsye fetare por për shkak të koprracisë. Edhe koprracisë mund t'ia shohësh hairin. Ndoshta më ka përmendur kalimthi që kam botuar diçka në "Horizonti".
Pyes veten si është e mundur që doktori nuk u kujtua më herët për mua? Kush jam unë do të pyesë dikush. Unë jo vetëm që jam një ndër enigmatët më të mirë në Kosovë (kërkoj ndjesë për mungesën e modestisë por do t'më kuptoni nëse e lexoni këtë artikull deri në fund) por çka është më e rëndësishmja, kam qenë bashkëpunëtor i rregullt i "Horizontit", botues i të cilit ishte doktori. Kam qenë bashkëpunëtor prej vitit 1990 kur më është botuar punimi i parë e deri te numri i fundit që nuk jam i sigurt kur ka dalë, më 1999 ose ndoshta 2000. Madje disa numra gjatë viteve 1998 dhe 1999 i kam përgatitur gati vetëm unë. Dhe këtë e kam bërë për një pagesë simbolike. Përveç kësaj, kam qenë bashkëpunëtor i jashtëm i revistës (bashkë me Ismail Gagicën, Enver dhe Nexhat Hajrullahun). Unë kam kontribuar për "Horizontin" me një numër të madh të enigmave cilësore, fjalëkryqe me bardhësi të bukura. Kam qenë i pari që e ka aplikuar bardhësinë në fjalëkryq, e pas meje herë pas here e kanë praktikuar edhe kolegë të tjerë, por asnjë s'ka qenë i rregullt si unë. Prandaj, pa modesti e them që meritoj më shumë respekt nga doktori dhe kolegët e tjerë. Doktori po ashtu i ka botuar disa numra të "Horizontit" me ndihmën e Ministrisë së Kulturës dhe natyrisht nuk më ka thirrur për bashkëpunim.
Në ndërkohë (10 korrik 2026), doktori ma dërgoi librin në PDF. Aty e pashë që nuk më kanë harruar plotësisht. Në faqen e tij në Facebook më ka përmendur disa herë si bashkëpunëtor i "Horizontit" dhe në vitin 2021 ma ka kushtuar një rrokjesor magjik 4x4 me mbiemrin tim. Aty i paska shkruar disa fjalë për mua, ashtu siç edhe prita, vetëm shkurt, si një bashkëpunëtor i "Horizontit" dhe revistave e gazetave të tjera. Për meritat dhe të arriturat e mia ASNJË FJALË. Nuk e lexova krejt librin por do ta lexoj ngadalëdalë dhe një gjë që më ra në sy menjëherë gjatë shfletimit të parë është se u thur elozhe dy kolegëve të tjerë të cilët enigmat i kanë përpiluar me softuer kompjuterik. Skandaloze!
Një tjetër koleg e nxjerr revistën enigmatike "Gjeni". Deri tash i ka nxjerrë 10 numra. Më ka thirrur. Nuk e harroj, është i vetmi enigmat që u kujtua për mua për dallim nga të tjerët. Por nuk e kam të qartë çka iu desha që më thirri? Sepse ai ndonëse ma mbushi kokën që t'i dërgoj sa më shumë punime për "Gjenin" megjithatë më botoi shumë pak dhe kryesisht punime jo aq cilësore. Kurse për ato cilësoret "nuk gjeti hapësirë" në revistën e tij. A thua pse? Andaj, në mungesë të revistave enigmatike shqiptare dhe në pamundësi që të botoj një të tillë, unë kam filluar të bashkëpunoj me blogje të enigmatikës nga vendet e ish-Jugosllavisë. Ai, sikur edhe doktori e ka faqen e tij në Facebook ku i ka kushtuar fjalëkryq të vogël mozaik gati çdo enigmati. Kurse mua jo. Si është e mundur? I ka kushtuar fjalëkryq disa personave që shumë pak janë marrë me enigmatikë dhe cilësia e tyre jo vetëm që nuk krahasohet me mua por është e mjerë. Kështu botuesi i "Gjenit" po ashtu i respekton më shumë disa enigmatë që përpilojnë me kompjuter dhe disa që përpilojnë duke marrë gjithçka në Google. I respekton më shumë se mua që kam dhënë kontribut të konsiderueshëm në enigmatikën shqiptare. Ai, po ashtu i lavdëron në faqen e tij kolegët që po bashkëpunojnë me revistat kroate siç janë S. Tullumi, Mensur M., S. Husmani por nuk u kujtua për mua që të përmendë faktin që kam bashkëpunuar me revistën "DueT' me një fjalëkryq cilësor në gjuhën kroate. Prapë pyes pse?! Asnjë koleg nuk ma ka uruar këtë arritje. Të gjithë e vizitojnë blogun DUE ku është publikuar faksimilja e këtij fjalëkryqi. Ka qenë vetëm kolegu slloven Vojko Maksimçuk që ma ka uruar. Natyrisht edhe botuesi Nedjelko Nediq.
Kolegu në fjalë në revistën e tij ku ka jashtëzakonisht shumë gabime gjuhësore e të natyrave të tjera enigmatike, për t'i bërë më të lehta punimet e tij përdor shumë shkurtesa ndërkombëtare madje me katër shkronja. Si ky edhe një koleg tjetër për të cilin për herë të parë kam dëgjuar në blogje, i ka parashtruar rregullat e përpilimit të fjalëkryqit. Unë pajtohem me shumicën e atyre rregullave. Mirëpo ai vetë nuk i respekton ato rregulla. Për shembull: thotë që shkurtesat të jenë vetëm me 3 shkronja dhe të përdoren sa më pak, mirëpo në faqen e tij në Facebook shoh se ka shkuar edhe më larg se kolegu paraprak. Ai përdor shkurtesa me 5 shkronja!!! Dhe natyrisht botuesi i "Gjenit" e respekton më shumë këtë koleg sesa mua. A thua pse?!
Botuesi i "Gjenit" në revistën e tij në 10 numra flet për të arriturat e enigmatikës shqiptare por shumë pak i përmend meritat e mia, flet vetëm për përpilimin e katrorëve magjikë 8x8 që është rrallësi te ne dhe kaq. Asnjë fjalë për fjalëkryqet e mia me bardhësi prej 6x6 deri 8x7 e sidomos për rekordin 8x8 (plus 9x7). Asnjë fjalë për fjalëkryqet me gjatësi të lartë mesatare të fjalëve. Asnjë fjalë për anagramoret e numërtuara. A THUA PSE?
Lexova se u janë ndarë mirënjohje gjithkujt për kontribut në enigmatikë. Dhe natyrisht, mua nuk më kanë ndarë asgjë. Sepse as që janë kujtuar që ekzistoj. Prapë pyes, a thua pse? Kontaktin e kanë pasur (postë elektronike) që të mos themi se s'kanë mundur të më gjejnë.
Nuk duhet harrur që edhe në vitin 2008 janë mbajtur disa takime të enigmatëve ku kanë marrë pjesë po thuajse të gjithë emrat e njohur të enigmatikës në Kosovë PËRVEÇ MEJE. Por me insistimin e kolegut te nderuar nga Rahoveci, Agim Metbala, unë kam qenë pjesë e komisionit vlerësues në Kampionatin e zgjidhjes së enigmave të mbajtur një vit më vonë, më 17 shkurt 2009, me rastin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Pra, asnjë kolegut tjetër nuk i ka rënë në mend për mua. As atyre që i kam konsideruar shokë apo, thënë ndryshe, me të cilët kam pasur raporte të mira miqësore dhe kolegiale!!! Kjo ka qenë hera e fundit që kam qenë pjesë e një organizimi apo takimi të enigmatëve.
Në ndërkohë, kolegu i nderuar nga Drenica që jeton në Danimarkë, Adem Gashi më ka kontaktuar përmes Facebook-ut. Pra ka edhe kolegë që nuk më harrojnë. Por s'kam qare pa e përmendur se Gashi më ka kontaktuar për shkak se unë i kam bërë "like" disa postime të tij.
Në ndërkohë, enigmati më i mirë shqiptar, larg më i mirë se të tjerët, Xhevat Ruhani, specialisti i anagramoreve të numërtuara e ka përpiluar edhe një anagramore gjigante. Kjo është për t'u përshëndetur. Por edhe ky koleg më ka harruar. Por nuk ia zë për të madhe, jeton në SHBA, i ka do vjet dhe ka probleme me shikim dhe në përgjithësi probleme shëndetësore. I ka botuar disa libra me enigma cilësore, i ka shpërndarë gratis por nuk i ka rënë në mend për mua. Prapë s'ka dert. Xhevat Ruhani më ka ndihmiuar shumë që ta shtoj cilësinë e enigmatikës. Sidomos nga aspekti gjuhësor. E më vjen keq që ta them por në këtë aspekt shumica e enigmatëve çalojnë, sidomos ata që e lartësojnë veten si doktori i "Horizontit" e gjeografi i "Gjenit" e të tjerët. Driton Sejdiu që nuk merret sot me enigmatikë është gjuhëtar me profesion dhe enigmat e tij e kanë pasur cilësinë e mirë gjuhësore. Kurse unë jam njeri modest, por mënyra si po më trajtojnë kolegët e mi, po më detyron që të dal jashtë parimeve të mia dhe këtu do ta them me krenari që ndonëse e kam mbaruar vetëm gjimnazin, jam njohës i mirë i drejtshkrimit shqip. Andaj kam punuar edhe lektor disa muaj në revistën "Fjala jonë" e po ashtu korrektor disa vite ku edhe i kam ndrequr shpesh gabimet e lektorit. E njohja e drejtshkrimit është shumë e rëndësishme në enigmatikë. Sa e njoh drejtshkrimin mund të vërehet në këtë artikull. E di që ka gabime gjuhësore. Nuk jam i përsosur, bëj gabime sidomos te përdorimi i presjes dhe sintaksës por përgjithësisht pas Xhevat Ruhanit, Driton Sejdiut dhe Adem Gashit që janë gjuhëtarë me profesion, unë jam njohësi më i mirë i drejtshkrimit mes enigmatëve.
Është e papranueshme se si asnjë enigmat shqiptar nuk vjen në blogun tim, jo për mua, por që t'ia urojnë veprimtarinë enigmatike në gjuhën shqipe kolegut slloven, Vojko Maksimçuk. Do ta them pa cinizëm se sot Vojko Maksimçuk është përpilues më i mirë i enigmave shqipe sesa disa enigmatë që i ka prezentuar në fjalëkryqe botuesi i "Gjenit".
Duhet cekur, nuk është vetëm doktori që përpilon figura magjike enorme duke marrë gjithçka në internet. Janë edhe enigmatë të njohur nga ish-Jugosllavia. Po ashtu enigmatët e shquar si Slavko Bovan e Nedjelko Nediq i lejojnë këto enigma në blogjet e tyre. Ekziston debati a është në rregull kjo lloj enigmatike? Unë kam qenë kundër por tash nuk e kam asnjë mendim. Do të jem "agnostik". Nëse kryemjeshtrit nuk janë kundër si mund të jem unë? Unë tash për tash nuk e praktikoj këtë lloj enigmatike. Sepse për mua enigmatika është pasion e përpilimi i enigmave në këtë stil nuk është pasion. Për mua jo. Por një dihet se këto punime janë të pazgjidhshme nëse nuk jepen me rrokje ose si mozaik. Nevojitet ndihma e internetit për t'u zgjidhur këto enigma. Por, sa e kam kuptuar kjo lloj enigmatike nuk praktikohet në revista por vetëm në internet. E pra këtu është dallimi. Në revistë enigmat i zgjidh aq sa di pa ndihmën e fjalorëve apo enciklopedive a internetit.
Prandaj, sot unë jam enigmat i pavarur, shoqatë në vete, federatë në vete. Mund ta quaj veten kryemjeshtër i enigmatikës sepse kaherë i kam plotësuar të gjitha kushtet për të qenë i tillë. Nëse kolegët e mi nuk kanë respekt për mua, atëherë pse të kem respekt për ta, ndonëse unë po i përmend herë pas here në blogun tim, ata nuk po kujtohen për mua në faqet e tyre të rrjeteve sociale e as në revista e ku di unë.
26 qershor 2026
Fjalëkryq plotësor
Ndër të tjera, në këtë fjalëkryq plotësor gjendet edhe një emër i rrallë mashkulli; prodhuesi i verës Domi (anagramë: VELAT) dhe një fshat në komunën e Polisit në Rrethin e Librazhdit (anagramë: ALVIN).
