16 tetor 2008

Enigmati i vogël

Titulli i këtij postimi asocionon me ndonjë titull tregimi apo poezie për fëmijë. Mund të jetë edhe ashtu nëse dikush ma kushton një krijim letrar për fëmijërinë time “enigmatike”.

Shakanë anash, desha të ju tregoj se kur filloi interesimi im për fjalëkryqin respektivisht për enigmatikën. Ka qenë vëllai im (me profesion jurist) që ma ngjiti këtë “sëmundje” atraktive.

Ai duke zgjidhur fjalëkryqin e “Rilindjes” nganjëherë i lexonte pyetjet me zë dhe ashtu me zë edhe përgjigjej. Fillova të interesohem. Nuk e mbaj mend saktë sa kam qenë i vogël por jam i sigurt që kemi të bëjmë me vitin 1982 ose 1983. Pra para ose pasi që kam hyrë në klasën e parë fillore.

Gjithsesi është dashur që të shkojnë vite që ta bëj përpjekjen e parë për të përpiluar një fjalëkryq por nga cikli i ulët i shkollës fillore unë kam filluar të zgjidh me pasion fjalëkryqet. Kur erdhi dita që unë të zgjidh thuaja gjithmonë deri në fund fjalëkryqin atëherë vendosa që t’ia mësyj edhe vetë punës së autorëve të fjalëkryqeve (që në atë kohë nuk kisha ide se quhen enigmatë :-)).

Dhe kështu ngadalëdalë me hapa të sigurt ende pa botuar asnjë enigmë unë fillova të përforcoj njohurittë e mia në përpilimin e fjalëkryqit, rebusit e qe besa edhe anagramit.

Fjalëkryqin e parë e kam botuar në fletushkën e Shkollës Fillorë “Migjeni” të fshatit Rufc i Ri në vitin 1988. Ka qenë një fjalëkryq i vogël magjik 5x5. I vogël por magjinë e ka pasur të madhe. Për fat të keq nuk e kam fletushkën në fjalë. Kam bërë përpjekje që ta gjej dhe do të vazhdoj ta kërkoj. Shpresoj deri në fund.

Ndërkaq “zyrtarisht” punimin e parë enigmatik e kam botuar në vitin 1990 gjatë gjimnazit (klasa e parë) në revistën e vetme enigmatike të asaj kohe - “Horizonti”. Ka qenë një fjalëkryq klasik me dimensione 14x17. Edhe pse ai fjalëkryq ka qenë shumë cilësor, redaksia e pat dëmtuar me disa “përmirësime” të kota mirëpo edhe përkundër kesaj e falënderoj revistën “Horizonti” dhe SHE “Ndre Mjeda” që me botimin e punimeve të mia më kanë ndihmuar në afirmimin e mëtejmë.

2 komente:

Anonim tha...

Respekt per enigmatin e vogel e njekohesisht edhe per te madhin :)

Riza B. tha...

Hahahah, faleminderit. :D